Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.


 
ForumForum  PortaliPortali  GalleryGallery  KërkoKërko  Latest imagesLatest images  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimi  
Mire se vini te Engjujt e Shqipes.

 

 Parfumet !

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Rigona

Rigona


Anzahl der Beiträge : 362
Reputation : 3
Anmeldedatum : 13/12/2008
Alter : 35
Ort : K'tu

Parfumet ! Empty
MesazhTitulli: Parfumet !   Parfumet ! EmptyFri 23 Jan - 2:02

Magjia që vjen nga hunda!


Të gjitha pyetjet mbi mënyrën si të zgjedhësh atë që mban me vete gjithë ditën dhe që flet për ty: parfumin tënd. Si ta zgjedhësh, si ta kombinosh, si mund të ndikojë mbi humorin tënd? Një guidë e plotë që të plotëson dëshirën për të qenë e pëlqyer.

Si t’ia bëj për ta zgjedhur?
Ajo që shtyn për të pëlqyer një aromë e për të urryer një tjetër, duket si magji e vërtetë. Në të vërtetë, çdo gjë është më racionale sesa duket. Shkenca është e aftë ta shpjegojë në detajet më të imta. “Eshtë një udhëtim i komplikuar, që nis nga hunda dhe mbërrin drejt e në zemër”. Kështu e sqarojnë sociopsikologët rrugëtimin e aromës, gjë që të bën të mendosh se nuk kemi të bëjmë me një nuhatje të thjeshtë.
Çdo gjë nis në një zonë të vogël të hundës (epiteli olfativ) ku, sapo ndiejmë një aromë, receptorë të veçantë aktivizohen dhe dërgojnë një “sms” në tru. Aty, miliona receptorë, pasi marrin mesazhin, vihen menjëherë në lëvizje dhe transmetojnë lajmin në një zonë precize të trurit (sistemi limbik), ku ndodhet “reparti i emocioneve”.
Kështu, pas një serie reaksionesh kimike, koka nis një proces shoqërizimesh mendore (kujtime, gjendje shpirtërore, por dhe ndjesi që vijnë nga jashtë) dhe në fund, brenda pak sekondave dhe në mënyrë të pandërgjegjshme e gjitha kjo drejton preferencat tona. Kështu lind dashuria jonë për parfumin: një përzierje e kimisë me magjinë.


Sa i rëndësishëm është konfeksioni?
Shumë. “Kur afrohesh për herë të parë me një parfum, nuk mjafton që të ketë një aromë të mirë. Parfumi është një objekt i veçantë dhe duhet të kënaqë të gjitha shqisat, përfshirë dhe të parit”, thonë disa nga ata që e kanë lidhur jetën ngushtësisht me botën e aromave. Ja përse disa parfume, si “Hermès” apo “Lalique” edhe pa e ndryshuar linjën e tyre klasike, propozojnë çdo vit një flakon të ri dhe të çmuar në koleksionin e tyre.
Pak Sipas disa “hundëve” të mëdha, pra krijuesve të parfumeve, kur zgjidhet një parfum nuk duhet të gënjehesh nga konfeksioni, por të lësh veten që të tërhiqet vetëm nga aroma. Ky stil esencial është karakteristik i parfumeve, mjaft ekskluziv dhe gati artizanal të mjeshtërve si Serge Lutens dhe Annick Goutal ose të firmave si “Etro”, “Floris” apo “Creed”, të cilat edhe pse propozojnë esenca të ndryshme si për femra dhe për meshkuj, nuk ndryshojnë kurrë flakonin.


Ka një seks parfumi?
Jo! Shija për aromat uniseks lind që në fund të viteve ’80, kur zonjat “chic” përdornin “Fahrenheit”, parfumin e famshëm për meshkuj të Dior. E që atëherë, me gjithë ulje- ngritjet, kjo prirje nuk ka perënduar kurrë. Parfumet uniseks modernë, janë ama më pak të freskët se ato të një kohe. “Tani kanë nota më sensuale dhe të nxehta, si ajo e vaniljes dhe e drurëve ekzotikë”,- shpjegojnë specialistët.
Po! Sot parfumet femërore janë shumë të ndryshme nga ato të meshkujve. “Kjo ndodh edhe sepse substancat e përdorura shpesh janë të njëjtat”, sqarojnë specialistët. Por ato që bëjnë ndryshimin janë esenca të tjera dytësore që i shtohen substancës bazë, që është e njëjtë për të dyja gjinitë, si frutat për femrat dhe drurët për meshkujt. Dhe mbi të gjitha proporcionet: mjafton një kombinim minimal për të ndryshuar gjithë linjën. Parfumet “City Glam” të Armanit janë dy: një për femrën dhe një për mashkullin

Përse parfumi mund të të sjellë dhembje koke?
“Kur ndiejmë një parfum, miliona receptorë të qelizave të aparatit të nuhatjes transmetojnë impulset e tyre në tru, i cili i interpreton dhe vendos se cilat aroma na pëlqejnë”,- shpjegojnë dermatologët. “Por hapësira ndërmjet një stimuli të thjeshtë dhe dhembjes është shumë e ngushtë dhe mjafton pak për ta kapërcyer. Kjo ndodh për shembull kur një aromë është shumë e fortë, ose nëse nuhaten shumë parfume njëri pas tjetrit. Atëherë ndodh të provokohen dhembje koke, deri të vjella”. Në të kundërt, nëse përdoren në sasinë e duhur, disa esenca kanë aftësinë të largojnë migrenën. Ndër këto, livanda, mentja dhe trëndafili.


Përse një parfum që dikur më pëlqente, tani nuk më pëlqen më?
Modë!
“Parfumi është një aksesor, një element më shumë për të theksuar elegancën”, shpjegojnë specialistët. Eshtë normale ta ndryshosh parfumin jo vetëm çdo vit, por dhe nga një ditë në tjetrën, si një veshje”.
Moshë!
Me kalimin e kohës ndjeshmëria ndaj aromave zbehet, sepse qelizat e nuhatjes rigjenerohen më ngadalë. Nga 60 vjeç e lart nis të pëlqehen parfume më të fortë nga ato që pëlqeheshin në moshë të re.


Ç’është aromaterapia?

Aromaterapia është, si e tregon vetë fjala, një kurë që shfrytëzon vetitë e aromave, për të dhuruar kënaqësi. Çdo gjë rrotullohet rreth teorisë, sipas së cilës, esencat duke mbërritur në tru aktivizojnë prodhimin e disa substancave (adrenalina, endorfina e të tjera) të afta për të rregulluar ekuilibrin psikofizik. Mënyra e përdorimit është shumë e ndryshme. Mund të shpërndahen esencat në ajër, ta përziesh me produktet kozmetike ose ta kërkosh brenda parfumeve. Si t’i zgjedhësh? “Ideale është të këshillohesh me një ekspert”- thonë dermatologët. “Por instikti shpesh është guida më e mirë. Një aromë që instiktivisht të pëlqen, do të ketë patjetër një ndikim pozitiv në të ndierit mirë”.


Sa qëndron parfumi mbi lëkurë?
Një parfum përbëhet prej shumë esencash të ndryshme, por jo të gjitha zgjasin njëlloj. Sipas kohës që u duhet për të avulluar, specialistët i quajnë aroma koke, zemre dhe të thella.
10 minuta
“Koka” është aroma që ndihet sapo hapet një flakon. Është ai që na bën ta duam ose jo parfumin, por që nuk është aroma e “vërtetë” e tij, sepse përmban esenca që zgjasin për një kohë të shkurtër, 10 deri në 30 minuta dhe zhduket. Janë kryesisht esenca agrumesh, livande dhe menteje.
3 orë
“Zemra” është parfumi i vërtetë, ai që qëndron mbi lëkurë tre deri në katër orë. Kryesisht në këtë miks aromash shpërthen fantazia e “hundëve”, sepse kanë në dispozicion qindra esenca. Më aktualet janë esencat orientale, që përcjellin një ndjesi mbrojtjeje.
6 orë
“Aromat e thella” formohen nga një përzierje esencash të forta që “lidhin” aromat nga më të ndryshmet. Përdoren drunjtë, irisi, vanilja, balsami dhe disa substanca nga kafshët. Zgjasin të paktën gjashtë orë, por në veshje mund të ndihen dhe ditën tjetër.


Një parfum mund ta zëvendësojë deodorantin?

“Jo”, thonë dermatologët. “Parfumi nuk mund të zëvendësojë deodorantin”. Para së gjithash, të paktën kur nuk bëhet fjalë për një ujë aromatik, parfumi ka gjithmonë një përqindje alkooli, i cili nuk duhet të bjerë në kontakt të drejtpërdrejtë me lëkurën delikate të sqetullave. Pastaj, sepse parfumi, ndryshe nga deodoranti, nuk rregullon frymëmarrjen e lëkurës. Dhe ç’është më e rëndësishmja, kontakti me djersën mund ta ndryshojë aromën e një parfumi. Kjo s’ndodh me një deodorant”.


Mund të jesh alergjik ndaj parfumit?
Po
Në rrugët e frymëmarrjes: hundë të mbyllura ose ndjesi kruarje në fyt. Nëse je alergjik ndaj esencave që përmban një parfum, mund të kesh shqetësime të këtij lloji. Por e gjitha kjo ndodh nëse përdoret substanca në sasi të madhe.
Jo
Mbi lëkurë: më shumë se shenja alergjie, parfumi mund të provokojë mbi lëkurë disa irritime të lehta. Kjo ndodh nëse ke një epidermë shumë të ndjeshme. Më të shpeshta në fakt janë njollat që shkaktohen nëse pasi ke hedhur parfum bën banjo dielli ose një seancë solari”.


Ka një orë të përshtatshme për të hedhur parfumin?
Absolutisht jo: Parfumi shkon nga mëngjesi në mbrëmje, por duhet përdorur në masë. Sepse në rast se hedh shumë, mund të bëhet i bezdisshëm, për shembull në vendin e punës dhe nëse është i lehtë, në mbrëmje në diskotekë nuk ndihet. Ja si të veprosh:

Ora 9:00. Zgjidh një “eau de toilette”. Hidhe sipas dëshirës, sepse është pak i përqendruar.
Ora 17:00. Përdor një “eau de parfum”. Është i fortë mjaftueshëm dhe mjaftojnë tre sprucime.
ora 21:00. Parapëlqe një ekstrakt. Është më i përqendruari, zgjat shumë dhe përdoret me pika.


Pse disa parfume ngjajnë më sexy?
Nuset indiane parfumosen me esenca të tilla që mendojnë së kanë një ndikim epshndjellës. Fuqi kimike apo besim popullor?
Sipas një studiuesi, ndikimet psikologjike të parfumit janë shumë të fuqishme. Neurologët kanë zbuluar se disa parfume arrijnë deri aty sa t’i japin meshkujve përshtypjen se gratë që e përdorin peshojnë pesë kile më pak se pesha e tyre reale. Kjo shpjegohet se disa aroma (një përzierje lulesh dhe speciesh), sipas neurologëve që kanë bërë një studim mbi këtë, shkaktojnë një seri shoqërizimesh mendore në atë zonë të trurit që vlerëson peshën reale të personave që shohim. Dhe për magji, induktojnë për të bërë pak ulje.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Rigona

Rigona


Anzahl der Beiträge : 362
Reputation : 3
Anmeldedatum : 13/12/2008
Alter : 35
Ort : K'tu

Parfumet ! Empty
MesazhTitulli: Re: Parfumet !   Parfumet ! EmptyFri 23 Jan - 2:03

Dua parfumin tim!



Tashmë gjithkush mund ta ketë një parfum me emrin e vet. Spruconi një fragrancë, hidhni sipër një tjetër: do përftoni një të tretë, fare të re. Janë parfumet “e bëra vetë”, që kënaqin dëshirën për të qenë unike.


Një aromë e suksesshme në çastin e lançimit, arrin të shesë deri në pesëqind mijë shishka. Përkthimi: gati gjysmë milionë persona për ca kohë “parfumosen” njëlloj. Kështu lindin kultet, eau de toilette-t që bëhen aromat e një brezi, simboli i një periudhe.
Po jo të gjitha janë të joshur nga një parfum mit. Ka nga ato që në të kundërt janë në kërkim të veçantisë, të asaj fashe arome që nuk harrohet. Këto hundë “të vështira” mund të gjejnë aromën e preferuar falë një horizonti të ri të parfumerive: mbivendosja e fragancave. Zgjedhin dy apo tre dhe i përziejnë. Rezultati është i rrallë, i pazakontë.

Aroma “joglobale”
“Të apasionuarit pas parfumeve “personale” janë bërë më kompetentë se specialistët”, thonë krijuesit e aromave. “Për këtë kategori të publikut, mundësia për të përzierë fragrancat është një formë argëtuese për të kënaqur dëshirën për ekskluzivitet”. Kur oferta nuk kënaq më dhe aromat kanë humbur një pjesë të aureolës së tyre, atëherë parfumi krijohet drejtpërdrejt nga ajo që do ta përdorë. Dëshira për personalizim, që haset dhe në fusha të tjera, shihet si një kundërpërgjigje për standardizimin e shijeve: “Ekziston ambicia për të pasur diçka të veçantë, që shkon tej shijeve të çastit”, shpjegojnë specialistët. “Mbivendosja në fakt është një filozofi prej më shumë se dhjetë vitesh. Një numër i madh aromash kanë karakteristika që pranojnë miksim. Është një lojë që lejon të përdoret një aromë e ndryshme çdo herë, sipas humorit, veshjes”.

Ekuacione të parfumuara
Firma të ndryshme parfumesh kanë teknika të ndryshme për përzierjen e aromave. Disa propozojnë sprucimin e fragrancave njëra mbi tjetrën. Disa përziejnë pika të ndryshme esencash në një mbajtës të përbashkët. Disa madje, e gjejnë zgjidhjen në përdorimin e një shampoje trupi, kremi dhe pastaj parfumi të të gjitha të nuancave të veçanta. Disa firma parfumesh kanë hedhur në treg parfume të rinj, që janë përzierje e atyre ekzistuese. Bëhet fjalë për një fenomen në këtë pikë.
Por jo gjithmonë përzierja është produkt i dëshirës. Duhen ndjekur rregulla: Shumë prej fragrancave të pranishme në treg, të përftuara ekskluzivisht nga esenca sintezash, nuk mbivendosen, janë parfume “të përfunduar”, të plotë tashmë. Pastaj duhet një çelës që ta lehtësojë miksimin. Për shembull, mund të kombinohen aroma frutash, të cilat janë të një natyre të ngjashme, si limon dhe portokall. Ose një mënyrë tjetër: të vendoset një fragrancë e ngrohtë poshtë një të freskëte, apo një eau de toilette nën një eau de cologne”.
Megjithatë, përsëri specialistët thonë se nuk ka rregulla të prera. “Nuk është e thënë që nuancat të përputhen. Ka të tilla që kombinohen për mrekulli, të tjera që me zor pranojnë shoqëruese. Më të vështira janë lulet: vjollca është ndër më pak miqësoret”.

Çfarë ka në ajër vallë?
Tashmë nëpër qytetet kryesore të modës disa nga parfumeritë më në zë ofrojnë dhe këtë shërbim për klientët e tyre, më së shumti VIP. Bëhet fjalë për këshillimin për përzierjen e nuancave sa të krijohet një unike. Por ndërsa VIP-at janë më të nxituar sepse i tremben paparacëve, të tjerët përfitojnë me të vërtetë shumë. Nuk dalin nga dyqani pa pasur një parfum me emrin e tyre.
Këtë mund ta bëjë gjithkush. Madje duke nisur nga tani. Duke shfrytëzuar milimetrat e fundit të shisheve të vjetra të parfumeve, por që shkojnë me njëra-tjetrën, arrin të kesh një parfum të ri. Askush nuk do ta njohë mes aromave me të cilat hunda është mësuar dhe kur do ju pyesin se ç’aromë është kjo, jo vetëm për sekret, do ta keni të vështirë të përgjigjeni.

REVISTA JETA
Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Parfumet !
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
 :: Të ndryshëme :: Moda & Estetika-
Kërce tek: